Me hyrjen e teknologjive të reja, të vjetrat dalin jashtë përdorimit dhe shkojnë në histori. Kjo gjë potencohet veçanërisht në industrinë e telekomunikacionit, ku standardet e reja vendosen praktikisht çdo disa muaj. Shumë operatorë evropianë dhe globalë të telekomit po braktisin teknologjinë e vjetër 3G dhe po hapin hapësirë për dominimin e teknologjive të reja. Makedonski Telekom është operatori i parë që do ta çaktivizojë 3G, siç është paralajmëruar deri në fund të prillit të këtij viti. Njoftimi për më të reja, më të shpejta dhe më të mira është një vizion tërheqës i së ardhmes, por pyetja mbetet: Çfarë do të thotë kjo për abonuesin mesatar? Për këtë temë biseduam me Dejan Vllahoviqin, udhëheqës i optikës dhe rrjeteve të gjeneratës së ardhshme në Makedonski Telekom.
Si fillim, fillimisht le të sqarojmë... çfarë do të thotë termi „çaktivizim i teknologjisë 3G “?
Në 30 vitet e fundit kemi qenë dëshmitarë të zhvillimit të industrisë së telekomunikacionit dhe shfaqjes së 4 gjeneratave të teknologjive celulare. Sot jemi dëshmitarë të fundit të epokës së gjeneratës së tretë (3G). Me çaktivizimin e teknologjisë 3G, abonuesit nuk do të mund ta përdorin më këtë teknologji për shërbimet e të dhënave zanore. Dëshiroj të përmend se teknologjitë 4G dhe 5G mbeten në rrjet, përmes të cilave për momentin, por edhe në të ardhmen do të ofrohet një eksperiencë superiore abonuese si në fushën e shërbimeve të të dhënave (internet celular) ashtu edhe në pjesën e shërbimeve zanore përmes shërbimit VoLTE. Sigurisht, për gjeneratën e vjetër të telefonave që janë 2G/3G, ekziston edhe teknologjia 2G, e cila do të vazhdojë të ofrojë shërbimet bazë si transmetimi i zërit dhe mesazhet me tekst-SMS.
Cila është arsyeja? Pse u mor ky vendim dhe çfarë ndikimi do të ketë ky hap?
Me mbylljen e teknologjisë 3G dhe ripërdorimin e spektrit të frekuencave për teknologjitë më të avancuara 4G/5G, Makedonski Telekom është i përditësuar me trendet e industrisë botërore dhe riafirmon pozitën e tij udhëheqëse teknologjike me fokus në teknologjitë dhe shërbimet celulare më të shpejta dhe më të avancuara. Në të njëjtën kohë, zëvendësimi i teknologjive të vjetra sjell përfitime jo vetëm teknologjike, por edhe ekologjike. Krahasuar me 3G, 4G është pesë herë dhe 5G madje 15 herë më efikas në aspektin energjetik. Kjo nënkupton zvogëlimin e gjurmës së karbonit, që është pjesë e agjendës ESG të Makedonski Telekomit.
A mund të na jepni më shumë detaje rreth asaj dhe kur do të zhvillohet procesi ?
Aktivitetet përgatitore për shkyçjen e teknologjisë 3G kanë nisur tashmë në vitin 2021.
Aktivitetet do të zhvillohen gradualisht, sipas rajoneve, për të siguruar një tranzicion pa e ndërprerë përvojën e abonuesit. Deri në fund të prillit 2024, 3G do të jetë plotësisht jashtë përdorimit në rrjetin e Telekomit të Maqedonisë.
Çfarë do të ndodhë me abonuesit që kanë pajisje të vjetra? A do të jetë e nevojshme që ta ndërrojnë celularin e tyre?
Abonuesit që kanë pajisje 2G/3G dhe nuk kanë mundësi të përdorin teknologjitë 4G/5G, mund të vazhdojnë t’i përdorin shërbimet e tyre përmes teknologjisë 2G, e cila lejon përdorimin e shërbimeve zanore dhe mesazheve me tekst – SMS, si dhe shërbimet e të dhënave sipas mundësive të teknologjisë. Abonuesit që duan një përvojë superiore të shërbimeve të të dhënave (interneti celular) duhet ta zëvendësojnë pajisjen e tyre me një pajisje të re që i mbështet teknologjitë 4G/5G. Për abonuesit që tashmë zotërojnë pajisje që mbështesin teknologjinë 5G, unë do ta rekomandoja aktivizimin e shërbimit 5G për të përjetuar përfitimet dhe mundësitë e reja si për sa i përket shpejtësisë ashtu edhe vonesës.
Cili do të jetë efekti global i këtij ndryshimi? Çfarë do të ndryshojë në mënyrën se si ne i përdorim telefonat celularë dhe pajisjet e lidhura në rrjet?
Efekti global i këtij ndryshimi i ka dy aspekte. Në aspektin mjedisor, në fushën e mbrojtjes dhe ruajtjes së mjedisit nëpërmjet reduktimit të emetimeve të CO2. Nga ana tjetër, teknologjikisht përmes ofrimit të shërbimeve me shpejtësi më të madhe dhe vonesë më të ulët që do të hapë mundësinë e futjes së inteligjencës artificiale (AI), zhvillimin dhe përdorimin e aplikacioneve dhe shërbimeve të avancuara në kohë reale (realiteti virtual dhe i shtuar) si dhe zgjidhjet e qytetit të zgjuar, të cilat sot janë më se të nevojshme.
Çfarë të presim në periudhën e ardhshme nga teknologjitë e reja?
Zhvillimi i vrullshëm social i ndjekur nga ndryshimet dhe inovacionet e përditshme është një forcë shtytëse për zhvillimin e vazhdueshëm të segmentit të telekomunikacionit. Sipas kësaj, në një të ardhme të afërt mund të priten gjenerata të reja të pajisjeve celulare dhe M2M, me të cilat do të shfrytëzohet maksimalisht potenciali i rrjeteve celulare, si në shpejtësi ashtu edhe në aspektin e vonesës. Këtu është padyshim potenciali i madh që sjell teknologjia 5G në fushën e zgjidhjeve të biznesit që do të bëhen të përditshme. Së fundi, nuk duhet harruar teknologjia 6G, e cila është në fazën e testimit dhe pret të gjejë aplikim pas vitit 2030.